Teknikat e Bletarisë
Bletët mbahen në koshere konvencionale prej druri drejtkëndëshe. Bletarët praktikojnë nomadizmin, duke lëvizur kosheret e tyre nga një vend në tjetrin gjatë verës dhe në fillim të vjeshtës për të përfituar nga lule të ndryshme. Mjalti mblidhet me dorë: Hojet vendosen në centrifugë, e cila rrotullohet me dorë për të nxjerrë mjaltin. Pasi mblidhet, mjalti vendoset në enë prej çeliku inoks dhe më pas paketohet në kavanoza qelqi. Dylli i bletëve përdoret për qëllime të ndryshme.
Bedunica është fjala shqipe për lulen Staehelina uniflosculosa; mjalti i Bedunicës është një mjaltë njëlulësh nga Shqipëria e Jugut, ku këto lule janë të përhapura në zonat malore, veçanërisht në zonën e Frashërit dhe Parkut Kombëtar të Hotovës. Në këtë rajon, kosheret e bletëve vendosen pranë shkurreve dhe luleve të bedunicës për të lehtësuar vjeljen. Mjalti prodhohet kryesisht nga bletët Karniolë (Apis mellifera carnica), një specie e bletës së mjaltit perëndimor, e karakterizuar nga një trup i errët në ngjyrë kafe në gri me vija të lehta kafe. Mjalti i Bedunicës konsiderohet një mjaltë i stinës së vonë. Lulet fillojnë të lulëzojnë në mes të gushtit dhe mbledhja e mjaltit fillon në tetor. Mjalti i Bedunicës ka një ngjyrë të verdhë deri në të gjelbër, veçanërisht kur është shumë i freskët, dhe një aromë shumë të fortë.
Historia e Produktit
Mjalti i Bedunicës përdoret si ushqim, po ashtu edhe për qëllime mjekësore. Përdoret për të trajtuar infeksionet e mëlçisë dhe veshkave dhe konsiderohet një ilaç i gjithanshëm për fëmijët. Sipas njohurive tradicionale vendase, mjalti i Bedunicës mund të përdoret gjithashtu për të kuruar ose parandaluar katarin në mushkëri. Kjo është arsyeja pse u shërbehet shpesh fëmijëve, dhe zakonisht
konsumohet në dimër, me një lugë mjaltë që i shtohet çajit të malit, çaji bimor lokal malor.
Shumë pak familje në zonën e Frashërit, dhe fshatit Gostinisht në Parkun Kombëtar të Hotovës prodhojnë këtë mjaltë, pasi shumica e luleve të Bedunicës gjenden në zona malore që janë të vështira për t’u arritur. Duke qenë një mjaltë i stinës së vonë, zakonisht mbahet brenda familjes për konsum familjar, dhe në treg gjendet rrallë.
Meqenëse shumë pak familje prodhojnë mjaltin e Bedunicës, ekziston rreziku i lartë që njohuritë tradicionale në lidhje me prodhimin e tij të humbasin. Të rinjtë po braktisin vendin dhe nuk gjejnë asnjë interes ekonomik për ta prodhuar atë. Mungesa e marketingut në nivel vendor dhe kombëtar si dhe mungesa pothuajse e plotë e mbështetjes së shtetit për bletarët kanë një ndikim negativ
në bletarinë në shkallë të vogël. Vlen gjithashtu të përmendet se vendasit pretendojnë se bletët karniolë janë shumë më të mira sesa bletët italiane të importuara së fundmi në korrjen e nektarit nga lulet Bedunica. Përkundër këtyre vështirësive, ky produkt mund të jetë thelbësor për ekonominë vendase pasi është shumë i rrallë dhe ka përfitime të rëndësishme shëndetësore, dhe kështu merr një çmim të lartë.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)