Përgatitja e produktit:
Për të përgatitur pekmezin e manit, frutat duhet të piqen plotësisht dhe të mos jenë të thara apo të dëmtuara nga insektet. Pasi përzgjidhen frutat më të mira, lëngu i tyre shtrydhet dhe ndahet
nga tuli. Ky lëng më pas zihet në një enë me temperaturë të ulët dhe trazohet herë pas here. Në pekmez shtohet edhe pak lëng limoni. Sekreti i një pekmezi me cilësi të lartë është pikërisht momenti i përfundimit të procesit të zierjes. Kjo ndodh kur lëngu i pekmezit bëhet i dendur dhe vështirësohet përzierja. Pastaj, pekmezi lihet të ftohet dhe vendoset në kavanoza që ruhen në vende të freskëta.
Historia e produktit:
Manat janë një frut që rritet gjithandej në Shqipëri dhe sidomos në fshatrat e krahinës së Myzeqesë, një fushë që ndodhet në pjesën perëndimore qendrore të vendit. Frutat e manave mblidhen gjatë muajit qershor. Frutat e ëmbla kanë një perimetër prej rreth 2 cm dhe mund të kenë ngjyrë të zezë ose të bardhë. Vendasit i mbledhin frutat dhe përdorin lëngun për të përgatitur një produkt të veçantë lokal të quajtur pekmez, i cili në vetvete është një lloj shurupi.
Qarku i Fierit ka një klimë shumë të mirë për rritjen e pemëve të manave, të cilat thuhet të jenë sjellë gjatë periudhës Osmane për prodhimin e krimbit të mëndafshtit, dhe të cilat kanë akoma shumë rëndësi për kulturën dhe ekonominë e rajonit. Pekmezi i manit është prodhuar prej kohësh nga familjet në zonën e Myzeqesë dhe jo vetëm, dhe tradicionalisht shërbehet në mëngjes i shoqëruar me bukë dhe gjalpë. Për shkak se është shumë i ëmbël, pekmezi i manit shpesh hollohet me ujë. Në përgjithësi, mbledhja e manave është një aktivitet familjar. Ky produkt nuk është bërë asnjëherë për qëllime tregtie dhe sot edhe tradita e përgatitjes së pekmezit të manit në shtëpi po zhduket.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)