Mënyra e Përgatitjes:
Pasi arrat e gjelbra vilen, ato priten në gjysmë dhe vendosen në një tenxhere të ziejnë për 3-4 minuta për të zbutur shtresën e tyre të jashtme. Më pas zhyten në ujë të ftohtë për disa ditë, dhe uji u
derdhet herë pas here. Pastaj qërohen dhe vendosen në ujë me limon dhe sheqer, dhe zihen përsëri. Pas këtij procesi, arrat i vendosim të ziejnë më pas në shurupin e përgatitur nga sheqeri dhe uji (raporti është: 1 kg sheqer dhe 700 ml ujë për çdo kilogram arra). Shtohen më pas lulet e barbarozës dhe acidi citrik. Në çdo copë arre futet nga një bajame e qëruar nga lëkura dhe arrat zihen përsëri. Në fund, masa e arrave lihet të ftohet dhe më pas transferohet në enë qelqi, të cilat mbyllen për ruajtje afatgjatë.
Glikoja është një lloj reçeli i ëmbël që shpesh shoqëron pije alkoolike (raki) ose lëngje. Glikoja mund të bëhet nga shumë fruta ose dhe perime të ndryshme; në Përmet, glikoja është bërë kryesisht nga
arra të papjekura, të cilat duhet të mblidhen kur ato nuk janë shumë jeshile por dhe jo shumë të forta ose të pjekura. Arrat e papjekura shpohen me një gjilpërë të vogël për të parë nëse janë gati.
Në zonën Përmetit pemët e arrave rriten natyrshëm, kështu që bëhen mjaft të larta. Në përgjithësi ato rriten në afërsi të pyjeve ku lagështia është e lartë, sidomos pranë burimeve, rrëkeve të vogla dhe lumenjve. Ato parapëlqejnë tokë të butë, ku mund të përhapin lehtë rrënjët e tyre. Arrat e përdorura për të prodhuar gliko janë shumë të vogla dhe mjaft të forta.
Historia e Produktit
Glikoja e arrës është një produkt tipik i Përmetit, qytet në jug të Shqipërisë. Prodhimi i glikosë së arrës fillon në fund të majit dhe vazhdon deri në fund të korrikut, para pjekjes së frutit të arrës. Prodhimi i Glikosë është një nga traditat kryesore në Përmet. Çdo familje përmetare prodhon gliko për nevojat e veta, dhe amvisat konkurrojnë me njëra-tjetrën për të parë se kush prodhon gliko
më të mirë. Restorantet tradicionale të zonës prodhojnë gjithashtu gliko, të cilën e shërbejnë si ëmbëlsirë, dhe ka disa punishte artizanale që prodhojnë lloje të ndryshme glikosh, përfshirë edhe glikonë e arrës. Glikoja shërbehet gjatë festave, festimeve dhe ngjarjeve të rëndësishme familjare (të tilla si fejesa, dasma, apo festa ditëlindje), dhe për të mirëpritur mysafirë. Turistët që vizitojnë Përmetin i blejnë glikotë për t’i dhuruar si suvenir për miqtë e tyre.
Glikoja ka nevojë për vëmendje të veçantë sepse brezat e rinj nuk tregojnë interes për produktet tradicionale të kuzhinës vendase. Gjithashtu, për shkak se arrat rriten nëpër pemë të egra, është e vështirë të mblidhen për të prodhuar sasi të mëdha glikoje. Numri i njerëzve që ende e prodhojnë atë në një nivel shtëpiak është duke u zvogëluar, dhe ekziston vetëm një punishte e vogël që prodhon
gliko artizanale arre për tregun vendor dhe në sasi të mëdha në nivel kombëtar.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)