Vendasit fillojnë përgatitjen e sezonit të vjeljes së rrushit Kallmet midis mesit të gushtit dhe shtatorit. Rrushi vilet me dorë, dhe kultivuesit shpesh përdorin gomerë për ta transportuar atë nga vreshtat në shtëpitë e tyre. Rrushi fermentohet në fuçi prej çeliku inoks për 15-20 ditë, dhe vera mbahet në këto çisterna për 8-12 muaj para se të futet në shishe.
Rrushi Kallmet prodhon vile rrushi të mëdha me kokrra relativisht të rralla. Gjethet kanë pesë lobe. Kokrrat e rrushit janë ngjyrë vjollcë në të kuqërremtë, të rrumbullakta dhe me lëkurë mesatarisht të trashë. Vera e prodhuar nga rrushi Kallmet ka një ngjyrë të bukur dhe të thellë rubini dhe aromat e mollës së kuqe, boronicës dhe manushaqes, shija e saj aromatike është mjaft intense për qiellzën.
Shqipëria ka një traditë të lashtë të vreshtarisë, e cila përmendet në shkrime të ndryshme të vjetra. Natyralisti romak Plini e përshkroi verën shqiptare si “shumë të ëmbël” dhe e renditi atë në vendin e tretë midis të gjitha verërave që ai kishte shijuar. Shumë familje shqiptare kultivojnë rrush në kopshtet e tyre për të prodhuar verë dhe raki (në të shkuarën, rrushi Kallmet përdorej kryesisht për
raki). Kultivimi i rrushit është një nga aktivitetet kryesore bujqësore në Kallmet (fshati sipas të cilit ka marr emrin rrushi Kallmet) si dhe Mirditë, Qarku Lezhë që ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë, ku 80% e fermerëve vendas e konsiderojnë prodhimin e verës Kallmet si një nga burimet e tyre kryesore të të ardhurave. Ata gjithmonë e kanë mbjellë tokën e tyre me varietete vendase rrushi.
Vera Kallmet konsumohet gjatë festave në familjet katolike. Për shkak se është e lidhur fort me festimet fetare, kjo verë është gjithashtu një shoqërim i mirë për gatimet e përditshme. Si një verë relativisht e fortë, Kallmeti është një shoqërues i mirë për tavat me mish të gatuara ngadalë, të cilat janë tipike për rajonin. Në Shkodër, vera Kallmet është shoqëruesja tradicionale e tavës së
krapit. Disa familje të zonës e staxhionojnë djathin në bërsitë e rrushit të verës Kallmet.
Kohët e fundit ka pasur një ulje drastike të rritjes së vreshtave, si rezultat i shpërnguljes së të rinjve në qytete dhe jashtë Shqipërisë. Ndryshimi i klimës është një tjetër rrezik i mundshëm, pasi ndikon në procesin e pjekjes (ndryshimet e motit janë bërë gjithnjë e më të paparashikueshme).
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)