Vjelja e ullirit në Shqipëri fillon zakonisht në fillim të tetorit dhe vazhdon shpesh herë deri në shkurt. Ky është një aktivitet ku është e përfshirë e gjithë familja. Vjelja bëhet kryesisht me dorë dhe pa
pajisje moderne. Ullinjtë shtypen në mullinj të përbashkët, të cilët punojnë me sistem shtypës/shtrydhës të vogël dhe të mesëm prej druri Pas analizës së aciditetit, vaji lihet të kullojë natyrshëm në
çisterna ose fuçi prej çeliku inoks. Magazinimi i vajit bëhet hera herës në qypa argjile, që gjenden në bodrumet e shtëpive të vjetra historike.
Kokërrmadhi i Elbasanit është një varietet tradicional ulliri i kultivuar në Shqipërinë qendrore, veçanërisht në Qarkun e Elbasanit (nga i cili varieteti merr emrin e tij). Ky lloj ulliri nuk duhet të ngatërrohet me varietetin më të njohur dhe më të mbjellë në Shqipëri, të kokërrmadhit të Beratit. Ulliri Kokërrmadh i Elbasanit konsiderohet si ndër ullinjtë më të mirë të tavolinës, por edhe për prodhimin e vajit të ullirit.
Kushtet natyrore dhe klima e favorshme i kanë dhënë këtij varieteti karakteristika të veçanta dhe aromën dalluese. Klima e Elbasanit është mesdhetare, dhe ky varietet ulliri është relativisht rezistues ndaj motit të ftohtë. Kokrrat e ullirit kanë madhësi mesatare dhe peshojnë deri në 3 gram, bërthama peshon gati gjysmë grami dhe forma e ullirit është ovale. Rendimenti i vajit është relativisht i lartë, rreth 22% të peshës.
Ulliri Kokërrmadh i Elbasanit është kultivuar që nga mesjeta. Vitet e fundit, rreth 300 kultivues/prodhues të ullinjve nga rajoni janë bërë bashkë për të krijuar FBE-në (Federata Bujqësore e Elbasanit) me qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve vendore të Elbasanit, veçanërisht të vajit të ullirit, gjë që tregon për rëndësinë e vazhdueshme të këtij produkti. Ekzistojnë tre mullinj të përbashkët. Pemët dhe vaji i ullirit kanë qenë gjithmonë pjesë e peizazhit fizik dhe social të Elbasanit, dhe familjet shpesh blejnë vajin e ullirit në sasi të mëdha direkt nga prodhuesit. Vaji gjithashtu shitet në restorante dhe tregjet lokale. Vaji i ullirit konsiderohet një ilaç natyral efektiv dhe përdoret në pothuajse të gjitha pjatat dhe sallatat tradicionale rajonale, dhe si zëvendësues i gjalpit në recetat lokale si Tavë kosi (një pjatë tradicionale e bërë me qengj, oriz dhe kos, dhe e gatuar në furrë) dhe Tavë pistili (e ngjashme, por pa kos, dhe me mish viçi dhe kumbulla).
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)