Çaji i Malit është i njohur edhe si çaji i bariut, sepse tradicionalisht mblidhet në male. Kjo bimë është e njohur për përdorimin e saj si një ilaç bimor, dhe përgatitet kryesisht si tisane (si shumë specie të tjera të Sideritit në të gjithë Mesdheun). Kjo barishte rritet në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në lartësi mbi 800 metra mbi nivelin e detit. Bima e çajit të malit pjalmohet nga insektet dhe aroma e saj tërheq shumë bletët. Përveç rritjes së egër, çaji i malit kultivohet edhe nga farat në kopshte apo çeltina shtëpiake. Shumë fshatarë parapëlqejnë të kultivojnë çajin e malit në zona më të ulëta sesa atë që mbledhin nëpër male, pasi ky aktivitet kërkon përpjekje të mëdha. Bima e çajit korrej me ndihmën e një thike në mënyrë që rrënjët të mos tërhiqeshin nga toka. Burra, gra dhe fëmijë, të
gjithë marrin pjesë në mbledhjen e çajit të malit, i cili fillon të jetë gati për t’u mbledhur në maj dhe qershor. Pasi të jetë korrur, bimët e çajit përhapen për t’u tharë në tavolina ose në copa pambuku që shtohen në tokë, mundësisht në një vend të thatë të mbuluar por të ajrosur mirë. Rrezet e drejtëpërdrejta të diellit nuk janë të mira, kështu që disa fshatarë bëjnë tenda me degë pemësh për ta mbajtur çajin e malit në hije ndërsa thahet.
Lulet, gjethet dhe kërcelli i Sideritis raeseri përdoren të gjitha në përgatitjen e çajit të malit. Pasi çaji i malit thahet në pjesë të vogla, ai hidhet në ujë të valuar e lihet të pushojë për disa minuta dhe mbulohet me kapak deri sa të shërbehet. Në të mund të shtohet mjaltë dhe limon. Çaji i Malit ndihmon tretjen, forcon sistemin imunitar dhe ndihmon në trajtimin e të ftohurës, gripit dhe viruseve të
tjera, alergjive dhe astmës, bllokimit të sinuseve madje edhe dhimbjet e lehta të trupit dhe ankthin. Konsumohet gjithashtu si një pije e këndshme.
Historiku i Produktit
Çaji i Malit është një nga çajrat bimorë më të njohur në Shqipëri. Përveç vetive të tij kuruese, ky çaj ka një aromë të mrekullueshme dhe konsumohet gjerësisht thuajse çdo ditë. Vite më parë, çaji i malit kosumohej gjatë mëngjesit së bashku me bukë dhe djathë të bardhë në mensat e ushtrisë. Çaji i Malit ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për shumë banorë të zonave rurale. Në ditët e sotme, ky produkt shitet kryesisht në tregjet e fshatarëve, megjithëse gjatë 20 viteve të fundit paketimi profesional është rritur jashtëzakonisht dhe disa ndërmarrje mbledhin,
paketojnë dhe shpërndajnë çaj malor të kultivuar në supermarkete në të gjithë vendin, ndërsa disa dyqane ushqimore organike e blejnë atë me shumicë dhe e paketojnë.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)