Pasi fiqtë vilen më pas vendosen në një kasolle të mbuluar me plastikë (tip sere). Në brendësi të kësaj kasolleje/sere vendoset një enë me një solucion të përftuar nga përzjerja e squfurit dhe ujit sipas një raporti specifik dhe më pas kjo përzierje vendoset për t’u zier; avulli sulfurik që lëshohet kalon nëpër fiq, duke vepruar si një dezinfektues natyral dhe duke parandaluar mizat ose krimbat të
infektojnë dhe dëmtojnë fiqtë gjatë tharjes ose gjatë gjithë vitit. Fiqtë vendosen më pas në tabaka të mëdha prej druri të quajtura lesa dhe thahen plotësisht para se të paketohen ose kalohen nëpër spango.
Fshati Roshnik, në Qarkun e Beratit, karakterizohet nga një klimë mesdhetare dhe zona është e pasur me pemë frutore, kryesisht ullinj, qershi, gështenja dhe rrush. Për më tepër, fiqtë e thatë të varietetit sarilos vlerësohen si një delikatesë vendase. Ata kanë një teksturë të butë, ngjyrë të gjelbër natyrale, dhe aromë të këndshme dhe shije si mjalti.
Vjelja e fiqve bëhet midis gushtit dhe shtatorit. Fiqtë pasi piqen fillojnë të thahen nëpër pemë (duke humbur rreth gjysmën e përmbajtjes së tyre të lagështisë), dhe pastaj bien spontanisht në tokë. Frutat e rëna mblidhen 2-3 herë në javë dhe transportohen në një zonë të përshtatshme për tharje. Procesi i tharjes kryhet në rrjeta të përgatitura me thupra druri të quajtur lesa. Fiqtë vendosen
të shtrirë mbi lesa dhe rrinë aty rreth një javë, derisa përmbajtja e lagështisë që përmbajnë të bjerë në 22-24%.
Historia e Produktit
Fiku sarilos i Roshnikut është një varietet shumë i vjetër që mendohet të ketë mbërritur në rajon 300 vjet më parë nga Izmiri i Turqisë dhe i përshtatur në tokën pjellore të fshatit Roshnik, pas të cilit u mor dhe emri. Qarku i Beratit, dhe veçanërisht Roshniku, kanë një lidhje të fortë me këtë produkt. Fiqtë vareshin tradicionalisht nëpër spango si rruaza të cilat përmbanin 52 fiq, që
simbolizonin çdo javë të vitit. Fiqtë e thatë luanin një rol të rëndësishëm në dietën e dimrit dhe bukëfiket (buka e fikut) u jepeshin fëmijëve kur mungonte gruri. Sot, fiqtë hahen si të freskët ashtu edhe të thatë, ose përpunohen si reçel apo marmalatë. Gjethet e fikut përdoren për të mbështjellë bukën e fikut. Vjelja e fikut është e lidhur ngushtë me kulturën vendase, me disa festime që organizohen për këtë rast, duke përfshirë “Festën e Roshnikut” dhe festivalin e të korrave në Berat. Gjatë periudhës komuniste, prodhimi dhe eksporti i fiqve të thatë ishte një veprimtari ekonomike fitimprurëse dhe e rëndësishme. Sot, vetëm disa familje prodhojnë fiq të thatë duke përdorur teknikat tradicionale të përpunimit, dhe produkti kryesisht shitet në vend ose mbahet për konsum shtëpiak.
Fiqtë e thatë të Roshnikut janë një produkt kryesor për ekonominë vendase. Mënyra tradicionale e tharjes ka vlerë historike, por rrezikon shumë të harrohet sepse fshatrat e zonës janë braktisur për shumë vite. Pak njerëz apo familje kanë mbetur në zonë, që e njohin mënyrën e vjetër të tharjes dhe janë kryesisht të moshuar.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)