Jufkat e Dibrës

Mënyra e Përgatitjes:

Për përgatitjen e jufkave, mielli përzihet me qumështin, vezët (katër të verdha vezësh plus katër vezë të plota për një kilogram miell), qumësht dhe kripë. Brumi lihet në një vend të thatë për 2-3 orë për t’u fermentuar në mënyrë natyrale. Më pas brumi ndahet në topa, të cilat hollohen në peta deri në 30 cm të gjera. Këto lihen të thahen pjesërisht dhe pastaj mbështillen dhe priten për së gjati
në shirita. Pas tharjes së plotë, jufkat mund të ruhen në kartona, kuti druri ose në thasë pambuku. Jufkat duhen tharë mirë në mënyrë që të mos myken.

Jufka është një lloj makarone tradicionale e punuar me dorë. Jufkat zakonisht përgatiten me miell fshati nga grurë i një cilësie të lartë (Triticum durum) dhe bluar si miell në mullinj me ujë. Përdorimi i vezëve dhe qumështit, në përgatitjen e brumit i japin një aromë të këndshme dhe kjo i bën Jufkat të dallojnë nga makaronat e tjera të bëra në rajon. Jufkat mund të jenë një nga llojet më të vjetra të makaronave në Evropë. Jufkat përgatiteshin zakonisht gjatë verës, pasi ishte më e lehtë për t’i tharë gjatë kësaj kohe të vitit. Në të kaluarën, fushat e Dibrës, qytet në Shqipërinë verilindore, mbilleshin me një varietet të veçantë gruri të fortë vendas të quajtur karabash, i cili kultivohej kryesisht për prodhimin e jufkave. Në ditët e sotme jufkat përgatiten me miell të importuar.

Historia e Produktit

Jufkat janë të njohura për shijen e tyre të veçantë dhe përgatitjen artizanale. Krahina e Dibrës, nga ku Jufkat kanë lindur, ka mbetur relativisht konservatore dhe nuk është zhvilluar shumë, gjë që ka ndihmuar në ruajtjen e kulturës dhe gastronomisë së rajonit. Tradicionalisht Jufkat gatuheshin me yndyrën e kafshëve ose bashkë me lëngun e pulës, derisa lëngu të avullonte.
Jufkat janë gjetur edhe tek Arbëreshët, një komunitet shqiptarësh që jetojnë në Italinë Jugore që nga viti 1480, që nënkupton që kjo makaronë tradicionale është të paktën disa shekuj e vjetër.

Jufkat janë prodhuar kryesisht për konsum shtëpiak, por tashmë munden të blihen nëpër tregje. Jufkat përgatiten nga gratë e familjeve dibrane. Gjatë periudhës komuniste, kur u shkurajuan recetat tradicionale dhe të korrat administroheshin nga shteti, shumë njerëz harruan se si të përgatitnin jufkat. Sot, vetëm një numër i kufizuar i grave ruajnë njohuritë mbi recetat e vjetra.

Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Main Menu