Përbërësit:
Miell gruri
vezë
Kripë
Ujë (sipas rastit)
Mënyra e Përgatitjes:
Pasi sitet mielli, shtohen vezët dhe kripa (dhe pak ujë, nëse është e nevojshme, pasi varet nga lagështia e miellit). Formohet një brumë i cili më pas lihet të pushojë për rreth 30 minuta para se të hapet në petë të holla me diametër rreth 40-50 cm. Këto petë brumi shtrohen mbi tavolina ose sipërfaqe të tjera të sheshta, të cilat janë të mbuluara me mbulesa pambuku, dhe lihen të thahen. Pasi të thahen plotësisht, petët copëtohen në copa të çrregullta dhe vendosen në thasë liri ose pambuku, dhe ruhen në vende të freskëta dhe të thata. Në të shkuarën, kur petkat përftoheshin nga copëzat e mbetura nga petët e byrekut, nuk përmbanin vezë. Në momentin që petkat u kërkuan dhe hynë në treg si produkt më vete, vezët u bënë përbërësi kryesor, pasi i dhanë petkës një aromë më të mirë dhe konsistencë më të dendur. Gratë dhe vajzat janë marrë tradicionalisht me përgatitjen e petkave. Petka është një lloj makarone, e përgatitur kryesisht si zahire për dimrin. Historia e këtij produkti daton pothuajse që prej 200 vjetësh dhe lidhet veçanërisht me Korçën, Pogradecin dhe Përmetin, krahina në juglindje të Shqipërisë.
Petkat e kanë origjinën nga tradita e gatimit të byrekëve, që gatuheshin masivisht nëpër dasma, të cilat celebroheshin në vjeshtë, pas sezonit të korrjes. Përgatitja e byrekut zgjaste shumë, pasi gjithçka bëhej me dorë. Gjatë këtij procesi, grumbulloheshin copat e petëve të prera nga skajet e kores së byrekut. Amvisat nuk i hidhnin këto copa petësh, por i thanin dhe i mblidhnin në thasë prej liri ose pambuku (madje edhe në këllëfë jastëku) dhe më pas i gatuanin gjatë periudhës së dimrit. Petkat ishin një domosdoshmëri për jetesën dhe pëlqeheshin shumë nga fëmijët për shkak të shijes së këndshme dhe kohës së shkurtër të gatimit. Me kalimin e viteve, gratë e shtëpisë kujdeseshin për t’i përgatitur petkat gjatë fundit të verës, kur tharja e tyre jashte ishte më e lehtë. Gjatë periudhës komuniste dhe gjatë viteve 1990, petkat vazhduan të prodhoheshin dhe gatuheshin në familjet shqiptare. Kohët e fundit, si rezultat i vlerësimit në rritje për produktet tipike vendase, petkat kanë filluar të tregtohen në dyqanet me produkte natyrale (p.sh. për produkte organike ose tradicionale), kryesisht në Tiranë, Korçë dhe Pogradec. Edhe pse petkat janë produkt i njohur, shumë pak familje vazhdojnë akoma t’i prodhojnë ato për konsum shtëpiak, kështu që ekziston një rrezik i lartë që tradita e përgatitjes së petkave në shtëpi të humbasë, dhe bashkë me to dhe teknikat e vjetra të prodhimit dhe njohuritë e lidhura me të.
Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)