Rrushi Shesh i Bardhë

Ky varietet rrushi prodhon bistakë të dendur dhe me madhësi mesatare. Rrushi ka ngjyrë të gjelbër të ndezur (nganjëherë me tendencë drejt të verdhës së artë), në mes të tulit të kokrrës. Gjethet kanë madhësi të mesme dhe me pesë lobe.

Rrushi është i ëmbël dhe ka lëkurë pak të fortë për t’u përtypur. Verërat e prodhuara nga ky kultivar kanë tendencë të kenë një ngjyrë kashte të thellë në të verdhë dhe janë mjaft aromatike, me nota aromash lulesh dhe mollësh.

Sheshi i Bardhë është një varietet i vjetër rrushi i bardhë nga kodrat përreth fshatit Shesh në ish komunën e Ndroqit, disa kilometra në perëndim të Tiranës, edhe pse tashmë ky kultivar është i përhapur në të gjithë Shqipërinë. Emri i këtij varieteti rrjedh nga ngjyra e tij e bardhë dhe nga vendi i origjinës së tij. Ka të ngjarë të jetë një mutacion i varietetit të kuq “Shesh i zi”. Në zonën përreth Ndroqit dhe në vende të tjera të Shqipërisë ku është mbjellë Sheshi i Bardhë, vjelja zakonisht kryhet tërësisht me dorë për shkak të terrenit të ashpër, të pjerrët, gjë që e bën të vështirë mekanizimin.
Vjelja me duar lejon kontroll më të madh dhe përzgjedhje të kujdesshme të rrushit. Bistakët mblidhen në enë/kosha prej druri ose plastike dhe më pas transportohen shpejt me kamion ose traktor nëpër kantina.

Historia e Produktit

Sheshi i Bardhë ka qenë historikisht një varietet rrushi shumë i rëndësishëm për krahinat e Tiranës dhe Durrësit. Megjithëse vreshtaria është një veprimtari e lashtë në Shqipëri, ajo mori kuptim tregtar vetëm gjatë viteve 1960. Në dekadat në vijim, varietetet vendase si Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi filluan të mbillen në rajone të tjera të Shqipërisë, në vende me një larmi toke dhe kushte klimatike. Sidoqoftë, pas viteve 1990, pati një rënie të theksuar të vreshtarisë tradicionale pasi njerëzit migruan larg zonave rurale. I vetmi nënprodukt rrushi që vazhdoi të prodhohej në fshatra gjatë kësaj periudhe ishte rakia, dhe ndryshe nga prodhimi i verës, prodhimi i rakisë mbeti artizanal, aktivitet shtëpiak. Në fakt, rakia është një komponent i rëndësishëm i socializimit, sidomos mes grupeve të burrave, që shpesh e pinë të shoqëruar me meze si djathë, vezë të ziera, qepë e gjallë, qofte, turshi, duke kënduar “këngë rakie”. Zakonisht u shërbehet miqve dhe në evente të veçanta si dasma, ditëlindje, festa dhe varrime. Sot, me rrushin Shesh i Bardhë prodhohet verë dhe raki në të gjithë zonat e Shqipërisë, kryesisht në Qarkun e Tiranës. Këto produkte mund të gjenden në dyqanet lokale dhe në qytete. Disa prodhues kanë filluar të rritin këtë kultivar në mënyrë biodinamike.

Burimi: ‘Arka e Shijes’, Dhurata Thanasi (Luga e Argjendtë)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Main Menu